Takime me prindërit për orientim në karrierë në Komunën e Gjakovës

12.04.2018 - 10:07

Gjakovë, 12 prill- Implementimi i planit të veprimit për Strategjinë e komunikimit shkollë-prindër për këshillim dhe orientim në karrierë për nxënësit e klasave të nënta ka filluar në shkollën e mesme të ulët “Zekrija Rexha” të Gjakovës. Në takimin e parë të mbajtur me prindërit që kanë nxënës në klasat IX në këtë shkollë, kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit- MASHT dhe nga organizatat mbështetëse Helvetas, Syri i Vizonit dhe Smart Bits/Lux Development. Në bashkëbisedim me prindërit ata kanë dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me zgjedhjen e karrierës dhe mundësitë e shkollimit, vështirësitë në marrjen e vendimit për shkollimin e mesëm. Gjatë takimit janë shpërndarë informata mbi të gjitha shkollat e mesme të larta të Gjakovës, rolin dhe rëndësinë e angazhimit të prindërve si dhe mbi portalin Busulla që është në shërbim të nxënësve dhe prindërve lidhur me mundësitë e shkollimit dhe profesionet. Shtatë shkolla janë përzgjedhur për pilotim në vitin e parë, nga një nëpër rajonet e Kosovës. Strategjia synon që të angazhojë prindërit dhe t’i fuqizojë ata në mënyrë që ata të jenë mbështetës të fëmijëve të tyre në vendimet për shkollimin pas klasës së nëntë.

Newsletter